Konsultimi publik
03.11.2026
UDHËZIM ADMINISTRATIV MFPT NR. XX/ 2023 PËR ZBATIMIN E LIGJIT NR. 05/L-037 PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR - SKEMA E VEÇANTË PËR SHËRBIMET E FURNIZUARA NË MËNYRË ELEKTRONIKE
Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është të përcaktojë rregulla të detajuara në lidhje me vendin e furnizimit të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike, si dhe udhëzime të hollësishme për zbatimin e skemës së veçantë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (tani e tutje TVSH).
Data e fillimit: 30.09.2023
Data e përfundimit: 14.10.2023
Dokumentacioni
Raporti Final
Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është të përcaktojë rregulla të detajuara në lidhje me vendin e furnizimit të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike, si dhe udhëzime të hollësishme për zbatimin e skemës së veçantë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar
Versioni i azhurnuar i dokumentit te konsultes
Fatos Bunjaku
fatos.bunjaku@atk-ks.org
Kontributet
An EU funded project managed by the European Union Office in Kosovo
Shkarko dokumentin e kontributit
Deloitte Kosova Shpk | Kompani
13.10.2023 17:20:13
Informatat e kontaktit: Deloitte Kosova Shpk
Adresa: Rr. Ukshin Hoti, Kompleksi Ramiz Sadiku C3/2a, Nr. 120, Prishtinë
Nr. i telefonit: +383 (0) 49 780 104
Email adresa: mosmani@deloittece.com
Data e dërgimit të komenteve: 13/10/2023
_____________________________________________________________________________________
Deloitte Kosova Shpk është kompani këshilluese globale që operon edhe në Kosovë, e regjistruar me numër identifikimi 810468373, me zyre në adresën e mëposhtme: Rruga "Ukshin Hoti", numri 120, kati i 5-të, 10000 Prishtinë, Kosovë. Deloitte ka më shumë se 20 vite me prezencë në tregun e Kosovës, dhe është lider i njohur në tregun lokal me një gamë të gjerë të shërbimeve profesionale të kontabilitetit, auditimit, këshillimeve tatimore, këshillimeve financiar, si dhe shërbimeve të tjera të ngjashme për klientë vendas dhe ndërkombëtarë.
Gjatë viteve të fundit me zhvillimin e ekonomisë digjitale, Deloitte ka qëndruar afër zhvillimeve të fundit duke avokuar gjithnjë tek kompanitë e mëdha globale për respektim të legjislacionit tatimor të Kosovës dhe përmbushjes tatimore, përkatësisht të tatimit mbi vlerën e shtuar për shitjet ndaj konsumatorëve final për shërbimet e ofruara në mënyrë elektronike. Në këtë drejtim, ne si Deloitte aktualisht shërbejmë si përfaqësues fiskal për disa nga kompanitë më me renome, si dhe jemi në diskutime për t™u caktuar si përfaqësues fiskal edhe për disa kompani tjera të mëdha.
Marrë parasysh përvojën tonë si kompani këshilluese në fushën e përmbushjes tatimore për kompanitë që ofrojnë shërbime digjitale në Kosovë ndaj konsumatorëve fizik, me anë të kësaj shkrese, ne po paraqesim disa komente lidhur me Udhëzimin Administrativ mf- nr [...]/ 2023 për zbatimin e ligjit nr. 05/l-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar - skema e veçantë për shërbimet e furnizuara në mënyrë elektronike.
Ne konsiderojmë se nxjerrja e një akti administrativ të tillë është e rëndësisë së veçantë pasi që deri më tani ka qenë një fushë e rregulluar vetëm sipërfaqësisht, dhe në përgjithësi ka qenë e vështirë nxitja e regjistrimit të kompanive të huaja në Kosovë për disa arsye:
Rrjedhimisht arsyeja kryesore për numrin e limituar të personave jo-rezident të cilët aktualisht janë regjistruar për TVSh në Kosovë përmes përfaqësuesit fiskal, nuk ka qenë mungesa e ndonjë skeme speciale të thjeshtuar, por ka qenë një ndërveprim i arsyeve të përshkruara më lartë.
Thënë këtë, duke qenë në dijeni për skemën speciale të ndjekur në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), ne jemi të opinionit se nxjerrja e skemës speciale në Kosovë duhet shqyrtuar me kujdes të shtuar për faktin se mund të ketë si pasojë anësore humbjen e kontrollimit të mirëfilltë të përmbushjes tatimore të personave jo-rezident krahasuar me alternativën e tanishme të përmbushjes tatimore përmes përfaqësuesit fiskal (PF).
Ne kemi përmbledhur komentet tona në vijim të cilat do i trajtojmë veçanërisht në seksione përkatëse:
Gjithashtu, në kuadër të komenteve tona, po dërgojmë edhe dy propozim shtesë lidhur me skemën e veçantë, të cilat mendojmë se mund të jenë të vlefshme për konsideratë nga Qeveria e Kosovës në mënyrë që implementimi eventual i skemës të jetë sa më efikas dhe frytdhënës.
Kohëve të fundit nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) është aktualizuar çështja e lëshimit të kuponëve fiskal për shitjet e realizuara online përmes internetit. Sipas publikimit të ATK-së Lësho kupon fiskal edhe për shitjet online është sqaruar se për çdo furnizim të mallrave dhe shërbimeve përmes internetit, furnitori duhet ti lëshojë kupon fiskal konsumatorit të gjeneruar nga Pajisjet Elektronike Fiskale (PEF) siç përcaktohet me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2018 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike dhe Sistemve Fiskale. Përkatësisht citojmë dispozitën ligjore, paragrafin 1.2. të nenit 4 të UA 02/2018:
Të gjithë ata (veprimtari) që punojnë me para të gatshme (shkëmbejnë para te gatshme), duhet te përdorin PEF, ndërsa të gjithë të tjerët duhet të përdorin Faturën Elektronike duke përfshirë edhe ndërmarrjet publike, shërbyese etj;
Më tutje, edhe pse UA Nr. 02/2018 përcakton se vetëm subjektet të cilat pranojnë pagesa në para të gatshme duhet të lëshojnë kupon fiskalë duke përcaktuar përdorimin e faturës elektronike për shitjet tjera, në publikimin e ATK-së si dhe në disa takime publike është shprehur se ATK kërkon lëshimin e kuponit fiskal edhe në rastet kur pagesa bëhet përmes POS-it bankar ose llogarisë bankare, nën arsyetimin se ATK ende nuk e ka krijuar mundësinë e lëshimit të faturës elektronike përmes sistemit të IT-së së saj.
Ne e kemi të qartë se fiskalizimi i personave të tatueshëm që nuk janë të vendosur në Kosovë nuk mund të ndodhë sepse të njëjtit edhe pse ofrojnë shërbime për persona jo të tatueshëm në Kosovë, këto shërbime i ofrojnë nga jashtë dhe mos-prezenca e tyre ne Kosovë e bënë të pamundur fiskalizimin praktik të tyre, kurse të njëjtëve lehtësisht do të mund të ju kërkohej që të lëshojnë fatura elektronike pas implementimit të saj nga ATK, sepse fatura elektronike nuk kërkon ndonjë pajisje të prekshme/fizike për instalim.
Lidhur me këtë, konsiderojmë se implementimi i skemës speciale në këtë kohë pa u rregulluar fare çështja e faturës elektronike bije ndesh me kërkesat e Administratës Tatimore të Kosovës për lëshimin e kuponëve fiskal e cila në vete nuk merr parasysh mënyrën e operimit të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike, shitja e të cilëve asnjëherë nuk bëhet me para të gatshme por vetëm përmes transaksionit bankar.
Në këtë kontekst, sipas UA Nr. 02/2018 fatura elektronike që nënshkruhet me 2D barcode të kriptuar nga Serveri i ATK-së njihet si dokument fiskal si dhe Lëshimi i faturës elektronike gjithashtu është i paraparë edhe me ligjin e TVSh-së Nr. 05/L-038 në nenet 49 dhe 50 ku parashihet se, citojmë Autenciteti i origjinës dhe integriteti i përmbajtjes së tyre duhet të garantohet nëpërmes një nënshkrimi elektronik të avancuar ose nëpërmes shkëmbimit elektronik të të dhënave.
Meqenëse korniza ligjore veç se ka paraparë lëshimin e faturave elektronike, duke marrë parasysh natyrën e operimit të këtyre kompanive, e konsiderojmë si esenciale që të implementohet fatura elektronike së pari, para se të implementohet skema speciale për jo-rezidentët në mënyrë që të ketë konsistencë në mes të legjislacionit, udhëzimeve të Administratës Tatimore të Kosovës, si dhe praktikës së të bërit biznes në këtë fushë të re.
Një çështje tjetër që e shohim si problematike në implementimin e skemës speciale për shërbimet e furnizuara në mënyrë elektronike ka të bëjë me monitorimin dhe sigurimin e mbledhjes së tatimit nga operatorët jo-rezident.
Siç është përshkruar më lartë, operatorët e tillë nuk kanë fare prezencë fizike në Kosovë dhe nuk kanë nevojë as për ndonjë pasuri, server, apo punëtor/agjent me vendndodhje në Kosovë. Të gjitha shërbimet ofrohen nga distanca dhe pagesat bëhen ekskluzivisht përmes llogarisë bankare. Marrë parasysh operimin e tillë, konsiderojmë se monitorimi i përmbushjes tatimore do të jetë sfidë nga ana e ATK-së, meqë gjithçka do të duhej të monitorohej tërësisht nga distanca. Për më tepër, edhe çështja e pagesës së tatimit respektivisht mekanizmave të mbledhjes së tatimit do të jenë të komprometuara për ATK-në.
Kurse në bazë të Nenit 10 të Udhëzimit Administrativ nr. 15/2010 për Zbatimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat Nr. 03/L-222, përcaktohet detyrimi për përmbushje të obligimeve tatimor për persona jo-rezident përmes caktimit të një përfaqësuesi fiskal në Kosovë, e që është rezident në Kosovë. Më tutje, Neni 10 që përcakton obligimet dhe përgjegjësitë e PF-së, parasheh që PF konsiderohet të jetë përfaqësues ligjor dhe i detyrohet në tërësi dhe veçmas borxheve tatimore të personit jo-rezident për të cilin ai është caktuar. Për më tepër, për të garantuar kryerjen e këtij detyrimi, nga përfaqësuesi fiskal mund të kërkohet që të ofrojë forma të garancisë siç është garancioni bankar si kushtëzim para se të bëhet aprovimi apo regjistrimi i përfaqësuesit fiskal pranë Administratës Tatimore të Kosovës.
Siç mund të vërehet, skema speciale në krahasim me alternativën e përfaqësuesit fiskal është shumë më problematike nga perspektiva praktike e monitorimit të përmbushjes dhe mbledhjes së tatimit. Për dallim, përfaqësuesi fiskal do të ketë obligim ligjor pagesën e tatimit në çfarëdo rasti, i cili pastaj mund edhe të përdorë mjetet juridike nën dispozicionin e tij për mbledhjen eventuale të tatimit tek personi jo-rezident, duke ofruar kështu një siguri të lartë të mbledhjes së detyrimeve tatimore për buxhetin shtetëror.
Bazuar në sa më lartë, jemi të mendimit se implementimi i skemës speciale në formën siç është dhënë në Draft Udhëzimin Administrativ nuk trajton në mënyrë adekuate aspektin e mekanizmave për monitorimin dhe sigurimin e mbledhjes së tatimit për jo-rezidentët. Në këtë aspekt, rekomandojmë që të bëhet një vlerësim dhe rishqyrtim i Draft Udhëzimit edhe nga kjo perspektivë, pasi që mund të shpije deri në një situatë ku monitorimi i përmbushjes mund të jetë problematik dhe të ketë ngecje në sforcimin e mbledhjes së tatimit nga ana e autoriteteve tatimore.
Në analizimin e Draft Udhëzimit Administrativ është e qartë se synimi i këtij Udhëzimi është edhe përafrimi i trajtimit të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike me trajtimin e ndjekur në Bashkimin Evropian (BE). Thënë këtë, jemi të opinionit se para se të bëhet implementimi i një skeme të tillë të thjeshtuar, duhet marrë parasysh edhe specifikat e skemës së aplikuar në BE krahas kontekstit institucional të Kosovës.
Mini One-Stop-Shop (MOSS) është një mekanizëm i cili thjeshton procesin e mbledhjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për shitjet ndërkufitare të shërbimeve digjitale brenda Bashkimit Evropian (BE). Mënyra se si funksionon sistemi është se bizneset regjistrohen për MOSS në vendin e tyre dhe raportojnë shitjet jashtë vendit përmes një portali të vetëm online. Bizneset në këtë mënyrë llogarisin TVSh-në në vendin ku ndodhet konsumatori mirëpo paguajnë TVSH-në ndaj autoritetit tatimor të vendit të tyre, i cili më pas shpërndan pagesat e TVSH-së tek autoritetet përkatëse tatimore në vendet ku janë furnizuar konsumatorët. Ky proces i thjeshtuar eliminon nevojën që bizneset të regjistrohen për TVSH në shumë shtete dhe thjeshton përmbushjen e tyre me TVSH-në.
Marrë parasysh bashkëpunimin dhe bashkërendimin e legjislacionit dhe autoriteteve tatimore në vendet anëtare të BE-së, është e qartë se MOSS si mekanizëm ka qenë i suksesshëm në BE. Megjithatë, siç e kemi shprehur në seksionin 2.2 të kësaj shkrese, ne kemi rezervime për sa i përket aftësisë së mbledhjes efektive të TVSh-së nga Administrata Tatimore e Kosovës, dhe nga përvoja që kemi pasur në raste të ndryshme me klientët tonë, ndërveprimi me autoritetet tatimore të vendeve të tjera nuk ka qenë i një niveli të kënaqshëm dhe efikas. Një gjë e tillë ka qenë e shprehur edhe me vendet me të cilat Kosova ka Marrëveshje për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë, e që shpeshherë parashohin edhe shkëmbimin e informacioneve dhe asistencën e ndërsjellë ndërmjet autoriteteve tatimore për mbledhjen e tatimeve në vendet përkatëse.
Prandaj nga prizmi i harmonizimit të legjislacionit tatimor dhe praktikave të ndjekura nga BE, konsiderojmë se në kontekstin e Kosovës implementimi i skemës speciale nuk është i mbështetur në një nivel të njëjtë të bashkëpunimit dhe ndërveprimit institucional sikur sistemi MOSS në BE, gjë që do të mund ta bëjë skemën speciale jo-efikase.
Gjithashtu, duhet shtuar se edhe tek vendet fqinje të Ballkanit nuk kemi parë se ekzistojnë ligje apo udhëzime të cilat mundësojnë përmbushjen tatimore për jo-rezidentët të cilët ofrojnë shërbime të furnizuara në mënyrë elektronike në ndonjë formë tjetër përveç përmes caktimit të përfaqësuesit fiskal. Fakti që vendet fqinje nuk kanë vendosur precedent na drejton te një qasje të ngjashme me rajonin, pasi rreziqet dhe përfitimet nga këto ndryshime janë ende të panjohura dhe parashikimi i tyre është i limituar nga mungesa e informatave. Rrjedhimisht duhet vlerësuar nëse është vendim i përshtatshëm që Kosova të ndjek një praktikë të tillë para shteteve të tjera në rajon kur ende është shumë mbrapa në proces të fiskalizimit elektronik, implementimit të faturës elektronike si dhe mungesës së bashkëpunimit të mirëfilltë me autoritetet tatimore të vendeve të tjera.
Në këtë seksion të kësaj shkrese ne po paraqesim dy rekomandime konkrete për implementimin eventual të skemës speciale për shërbimet e furnizuara në mënyrë elektronike si vijon:
Në frymën e komenteve të parashtruara më lartë, në rast se Qeveria e Kosovës është e prerë në implementimin e skemës speciale për shërbimet e furnizuara në mënyrë elektronike, një mundësi e implementimit të skemës mund të jetë në faza të ndryshme ku skema speciale fillimisht të bëhet e mundshme personave jo-rezident me shitje në Kosovë deri në një shumë të caktuar. Një qasje e tillë do të mundësonte implementimin e skemës si fazë testuese pa rrezikuar dëmtimin e buxhetit të Kosovës pasi që edhe vlera e tatimit nuk do të ishte shumë e lartë. Si shembull mund të bëhet një limit i pragut të qarkullimit mujor në një vlerë të caktuar siç mund të jetë qarkullimi mujor prej EUR 5,000 (impakti eventual i TVSh-së prej EUR 900 për muaj).
Më tutje, në rast se implementimi i skemës speciale del të jetë i suksesshëm, ajo lehtësisht do të mund të bëhet e qasshme për të gjithë personat e tatueshëm jo-rezident të cilët ofrojnë shërbime të furnizuara në mënyrë elektronike.
Siç e kemi cekur edhe në seksionin 2.2. të kësaj shkrese, një mekanizëm mbrojtës në mbledhjen e tatimeve për rastin e personave të tatueshëm jo-rezident të cilët ofrojnë shërbime në mënyrë elektronike, është kushtëzimi i regjistrimit të tyre përmes sigurimit të një garancioni bankar. Në këtë aspekt, ne rekomandojmë që ashtu siç është kërkesë nën diskrecionin e Administratës Tatimore gjatë regjistrimit të përfaqësuesit fiskal, të përfshihet një kërkesë e ngjashme edhe për aplikimin në skemën speciale të paraparë në Draft Udhëzimin Administrativ. Ne jemi të mendimit se përfshirja e një mekanizmi të tillë do të përforconte mundësitë e mbledhjes së tatimit nga ana e autoriteteve tatimore.
Në përmbyllje të kësaj shkrese, ritheksojmë se nxjerrja e një Udhëzimi Administrativ për të adresuar pajtueshmërinë tatimore për shërbimet e ofruara në mënyrë elektronike na personat e tatueshëm jo-rezident është absolutisht e domosdoshme për të qartësuar më tutje obligimet dhe përgjegjësitë që operatorët ekonomik jo-rezident kanë kundrejt aktivitetit të tyre në Republikën e Kosovës.
Megjithatë, ne jemi të mendimit se skema speciale e propozuar në Draft Udhëzim nga ana praktike e implementimit mund të jetë problematike për nga aspekti i monitorimit të aktivitetit të personave jo-rezident si dhe mbledhjes të tatimit për shkak të mungesës së mjeteve apo mekanizmave të sforcimit të mbledhjes së tatimit dhe mungesës së bashkëpunimit të mirëfilltë dhe efikas me autoritetet tatimore të vendeve të huaja.
Së fundi, dëshirojmë të shprehim gatishmërinë tonë të plotë për të caktuar ndonjë takim për të diskutuar më hollësisht komentet tona si dhe për të dhënë kontributin tonë në përpilimin e aktit administrativ për trajtimin e shërbimeve të ofruara në mënyrë elektronike.
Me respekt,
Mal Osmani
Menaxher | Tax & Legal
Deloitte Kosova shpk
Tel: +383 49 780 104
Email: mosmani@deloittece.com
Personi kontaktues
Mal Osmani | mosmani@deloittece.com