Konsultimi publik
06.12.2025
PROTOKOLLI SHTETËROR PËR TRAJTIMIN E RASTEVE TË DHUNËS SEKSUALE
DRAFT PROTOKOLLI SHTETËROR PËR TRAJTIMIN E RASTEVE TË DHUNËS SEKSUALE
Data e fillimit: 03.10.2022
Data e përfundimit: 21.10.2022
Dokumentacioni
Dokumentacioni shtesë
Bergita Curri
bergita.curri@rks-gov.net
Kontributet
An EU funded project managed by the European Union Office in Kosovo
Shkarko dokumentin e kontributit
Instituti i Kosovës për Drejtësi | OJQ
21.10.2022 23:56:52
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
KOMENTE NË PROTOKOLLIN SHTETËROR PËR TRAJTIMIN E RASTEVE TË DHUNËS SEKSUALE
Hyrje
Instituti i Kosovës për Drejtësi (Tutje: IKD) pas analizimit të Protokollit shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale (Tutje: Protokolli), paraqet komentet e më poshtme lidhur me këtë dokument.
Duke marrë për bazë qëllimin e këtij protokolli, e ku specifikisht ceket se i njëjti përgatitet për të qenë një mjet praktik që përmban udhëzime se si duhet të ofrohen shërbimet për viktimat/të mbijetuarat/mbijetuarit e dhunës seksuale, duke mundësuar krijimin e përgjegjësisë institucionale përmes qasjes shumë-sektoriale të koordinuar, konsiderojmë se është e domosdoshme të qartësohet ky obligim i përmendur në protokoll, e i dalë nga Konventa e Stambollit: Për më tepër, ofrimi i shërbimeve nuk duhet të varet nga gadishmëria e viktimës për të ngritur padi apo për të dëshmuar kundër çdo dhunuesi!.
Nisur veçanërisht nga praktika e rasteve në përditshmëri dhe (mos)veprimet e zyrtarëve shtetëror, konsiderojmë se protokolli nuk e sqaron sa duhet sa këtë obligim dhe ka nevojë për qartësim të mëtejmë praktik, që të shmangen përsëritjet e rasteve të mëhershme kur zyrtarët e caktuar e kanë përdorur pikërisht këtë si arsyetim të mosveprimeve të tyre.
Në këtë pjesë të protokollit thuhet se Gjatë menaxhimit të rastit të dhunës seksuale është shumë e rëndësishme gjithashtu që të qartësohet se mbi cilin institucion anëtar të qasjes shumë-sektoriale të koordinuar (të shpjeguar edhe nëpërmjet funksionimit të SART) do të lihet përgjegjësia e menaxhimit të rastit. [...] Nëse gjatë vlerësimit të nevojave për një viktimë/të mbijetuar të rritur është konstatuar domosdoshmëri dhe është kryer vendosja e saj në një strehimore për strehim të grave të dhunuara, për një periudhë të caktuar kohore, atëherë përgjegjësinë për ndjekjen e zbatimit të Planit Individual Mbështetës e ka Strehimorja. Këtë përgjegjësi e zbaton duke bashkëpunuar ngushtësisht me menaxheren/menaxherin e rastit të caktuar prej fillimit nga QPS. Me kërkesën dhe pëlqimin e viktimës/të mbijetuarës së dhunës seksuale, kjo përgjegjësi i mbetet strehimores edhe nëse menaxhimi i rastit vijon përtej momentit të përfundimit të shërbimit të strehimit emergjent apo afatgjatë. Edhe në këtë rast, Strehimorja do të duhet të bashkërendojë veprimet me menaxheren/menaxherin e rastit të caktuar nga QPS, si dhe me institucionet e tjera përgjegjëse, përfshirë anëtaret e Mekanizmit Koordinues në nivel komunal. Nëse rasti që po trajtohet është viktimë e mbijetuar/i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës, atëherë përgjegjësinë institucionale të menaxhimit të rastit, në terma afatgjatë deri në mbylljen e tij, e ka një nga OJQ e specializuara për trajtimin e viktimave të krimeve dhe torturës[1], e cila e kryen këtë përgjegjësi duke bashkërenduar veprimet me aktorët përgjegjës të trajtimit të këtyre rasteve, në përputhje me protokollin e veçantë të hartuar për këtë qëllim.
Protokolli në disa raste i referohet mekanizmave dhe/ose organeve që pritet të ngritën dhe të forcojnë sistemin në aspekt të trajtimit të mirëfilltë të rasteve të dhunës seksuale, pa marrë parasysh tipin e rastit në aspekt kohor të ngjarjes. Në rastin konkret, fakti se protokolli përcakton se përgjegjësinë institucionale të menaxhimit të rastit e ka një nga OJQ-të e specializuara për trajtimin e viktimave të krimeve dhe torturës, tregon jo seriozitet dhe neglizhencë ndaj viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Ministria e Drejtësisë do të duhej që në protokoll të definojë dhe me urgjencë të punojë në adresimin konkret të kësaj çështje, në mënyrë që përgjegjësia institucionale e menaxhimit të një rasti të tillë të mos i mbetet OJQ-ve, por në këtë rast OJQ-të të kenë vetëm rol mbështetës dhe bashkëpunues.
Në këtë pjesë të protokollit përcaktohet se Supervizimi (mbikëqyrja) i profesionisteve/profesionistëve të cilat/cilët trajtojnë rastet e dhunës seksuale është i rëndësishëm për të vazhduar zhvillimin e kapaciteteve të stafit dhe për të siguruar cilësinë e kujdesit të ofruar. Tutje thuhet se Të gjitha institucionet përgjegjëse që përfshihen në menaxhimin e rasteve të dhunës seksuale, duke filluar nga vetë QPS si institucioni me përgjegjësinë e menaxhimit në tërësi të rastit, duhet të kenë të paktën një supervizore/supervizor profesionist e të trajnuar, përgjegjës për të lehtësuar ngarkesën psikologjike të profesionisteve/profesionistëve në lidhje me menaxhimin e rasteve. Supervizorja/Supervizori duhet gjithashtu të monitorojë rregullisht punën e profesionisteve/profesionistëve të cilët menaxhojnë rastet, si dhe duhet të ofrojë mbështetjen e nevojshme për ta për kujdes cilësor. Idealisht, supervizorja/supervizori është një profesioniste/profesionist me përvojë disa vjeçare të drejtpërdrejtë në menaxhimin e rasteve të dhunës seksuale. Supervizimi mund të sigurohet përmes mbështetjes së një personi drejtpërdrejt, përmes diskutimit në grup, përmes vëzhgimit në vendin e punës, si dhe përmes mbështetjes dhe takimeve të rregullta në ekip. Përmbushja e këtij roli në institucion sigurisht që kërkon edhe burime të dedikuara financiare, për planifikimine të cilave secili institucion duhet të marrë masat e nevojshme dhe t™i përfshijë si kërkesa në përgatitjen e buxheteve vjetore e afatmesme.
Në momentin që protokolli përcakton obligimin se të gjitha institucionet duhet të kenë të paktën një supervizor/e dhe se të njëjtat duhet të marrin masat e nevojshme për përfshirjen e tyre në përgatitjen e buxhetit, kjo tashmë definon një obligim për këto institucione dhe rrjedhimisht do të duhej që të qartësohej saktë nevoja për ekzistimin e këtij mekanizimi.
Të gjitha institucionet e përfshira në këtë protokoll, gjegjësisht ato të cilat kanë përgjegjësinë e menaxhimit të rastit, veçse kanë hierarki të rregulluar dhe krejt çka nevojitet është që të ketë proces të mirëfilltë të vlerësimit dhe llogaridhënies së zyrtarëve/ profesionistëve. Aq më tepër kur në një tjetër pjesë të protokollit që i referohet supervizorit/es thuhet se Është e rëndësishme që profesionistet/profesionistët të mos mendojnë se po vlerësohen ose se do të ndëshkohen nëse ato/ata nuk demonstrojnë njohuri dhe aftësi të sakta.
Me këtë rast mbetet i paqartë roli i supervizorit/es dhe ende më e paqartë mënyra e vlerësimit të ndikimit të tij/saj, kur nuk bëhet një vlerësim i punës së profesionistëve/eve në momentin që të njëjtit nuk demonstrojnë njohuri dhe aftësi të duhura.
Konsiderojmë se në këtë rast, në vend të ekzistimit të një personi si supervizor/e, fokusi do të duhej të ishte tek vlerësimi i zyrtarëve/ profesionistëve që trajtojnë rastet, ne mënyrë që të konfirmohet se trajnimet të cilat përmenden ne protokoll, kanë vërtetë efektin e duhur.
Në këtë pjesë të protokollit përcaktohen disa obligime të zyrtarëve policorë, me ç™rast thuhet se gjatë hetimit zyrtarja/i policor duhet: a. Të kufizohet në bërjen e pyetjeve hetimore vetëm për ato çështje të nevojshme për të identifikuar viktimën dhe përshkrimin e gjetjen e të dyshuarit. b. Të përcaktojë gjendjen emocionale dhe aftësinë fizike të viktimës për t™iu përgjigjur pyetjeve lidhur me sulmin dhe të kufizojë marrjen në pyetje të viktimës në përputhje me rrethanat.
Me këtë rast konsiderojmë se lënia në diskrecion të një zyrtari/eje policor/e që të përcaktojë gjendjen emocionale të viktimës në raport me parashtrimin e pyetjeve mund të sjell dëme të pariparueshme në zbardhjen e një rasti. Në një masë të konsiderueshme, ky diskrecion mund të çojë në riviktimizim të viktimave të dhunës seksuale, ose në raste të tjera, në një intervistim tejet të mangët që veçse do ta dëmtonte procesin.
Rrjedhimisht, në këto rrethana konsiderojmë se protokolli do të duhej të përcaktonte që në çdo rast të kërkohet prania dhe vlerësimi nga psikologu/ja përpara se të fillohet me intervistimin e viktimës. Në këtë mënyrë, zyrtari/ja policor/e do të vazhdonte detyrën e vet rreth intervistimit dhe hetimit përkitazi me rekomandimet e psikologut/es për sa i përket aftësive psikike te viktimës së dhunës seksuale.
Protokolli përcakton se Gjyqtarja/ Gjyqtari kompetent e informon viktimën/të mbijetuarën/mbijetuarin e dhunës seksuale dhe avokaten/avokatin e saj për procedurat për të kërkuar kompensim. Diçka e tillë është obligim ligjor procedural i gjyqtarit. Mirëpo, meqenëse në këtë rast kemi të bëjmë me protokoll, atëherë rekomandojmë që nga gjyqtarët të kërkohet këto çështje të ndërlidhura me të drejtat e viktimës në kompensim, mjete juridike etj. Të kërkohen të bëhen me një gjuhë sa më të thjeshtuar dhe të shmanget përdorimi i gjuhës juridike. Praktika ka treguar se në shumë raste viktimat (veçanërisht kur në gjykatë paraqiten pa përfaqësues) nuk arrijnë t™i kuptojnë të drejtat e veta, shto këtu ngarkesën psikike që një viktimë e dhunës seksuale mund ta ketë, vetëm sa e vështirëson situatën e të kuptuarit edhe më tej.
Andaj, sugjerojmë që protokolli të përcaktojë gjuhë të thjeshtëzuar për gjyqtarët në momentin e informimit të viktimës për të drejtat e veta në kompensim dhe mjete juridike.
Në këtë seksion, protokolli po ashtu parasheh se Trajnimi dhe kualifikimi i Gjyqtareve/Gjyqtarëve të së drejtës penale e civile, të cilat/cilët do të trajtojnë rastet e dhunës seksuale është domosdoshmëri! Angazhimi i Gjyqtareve/Gjyqtarëve me një eksperiencë pune mbi një vit në gjykimin e rasteve të tilla duhet të parashikohet, së bashku me kualifikimin e detyruar të tyre përmes trajnimeve. Trajnimet duhet të jenë pjesë e kurrikulës së formimit vazhdues të Gjyqtareve/Gjyqtarëve dhe duhet të mbahen rregullisht e në mënyrë të përvitshme.
Diçka e tillë nuk mund të përcaktohet me këtë protokoll, meqenëse kompetencat e gjykatësve përcaktohen sipas ligjit, ku të njëjtit caktohen në departamente të caktuar ku janë të ngarkuar me punë. Diçka e ngjashme me këtë që parasheh protokolli do të mund të realizohej vetëm nëse kemi profilizim të gjykatësve dhe pastaj të njëjtit të mund të jenë të ndarë në trajtimin e rasteve të tilla.
[1] Si për shembull Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, apo OJQ të tjera me të njëjtin mision dhe formim profesional.
Personi kontaktues
Betim Musliu | info@kli-ks.org
Dokumentet shtesë