PROJEKTLIGJ PËR ENERGJINË

Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i parimeve dhe rregullave të përgjithshme që rregullojnë aktivitetet në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës për sigurimin e furnizimit të sigurt, qëndrueshëm dhe cilësor me energji, dhe krijimin e kushteve për një treg të hapur, transparent dhe konkurrues, ofrimin e çmimeve të përballueshme të energjisë të bazuara në treg, mbrojtjen dhe fuqizimin e konsumatorit, përfshirë mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë, integrimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, promovimin e barazisë gjinore në sektorin e energjisë si dhe përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe klimës.


Data e fillimit: 23.02.2024


Data e përfundimit: 14.03.2024


Arbresha Isufi

Arberesha.Isufi@rks-gov.net


Kontributet

Instituti per Politika Zhvillimore (INDEP) | OJQ

14.03.2024 16:16:46

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka analizuar Projektligjin për Energjinë, i hartuar dhe publikuar për konsultim nga ana e Ministrisë së Ekonomisë së Republikës së Kosovës. Kjo analizë dhe këto komente janë rezultat i përkushtimit që Instituti INDEP ka për fuqizim të sektorit të energjisë dhe për rritje të dinamikës së tranzicionit të drejtë energjetik. Analiza e hartuar në kuadër të programit të INDEP për zhvillim të qëndrueshëm, synon që të identifikoj fushat ku projektligji ka nevojë për përmirësim dhe të ofroj një qasje konstruktive për përmirësimin e tij.

Marrë në tërësi, INDEP konsideron që Projektligji për Energji i plotëson kërkesat e direktivave evropiane për pakon e re të legjislacionit në fushën e energjisë dhe është një bazë e mirë për rregullimin ligjor të sektorit për vitet e ardhshme.

Gjatë analizës së projektligjit, INDEP ka vërejtur që Projektligji ka nevojë për specifikim të disa elementeve veçanërisht sa i takon konsumatorëve në nevojë, konfirmim ligjor të përkushtimit për dekarbonizim, ruajtjen të  pavarësisë dhe rolit rregullator të ZRRE-së dhe definime më të qarta dhe specifikime sa i takon rolit të komunave, sistemeve të mbyllura të distribucionit etj.    

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) thekson rëndësinë e angazhimit dhe konsultimit të gjerë me të gjithë palët e interesit në procesin e rishikimit dhe përmirësimit të Projektligjit për Energjinë. Në dokumentin e konsultimit, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të përfshij qëndrimet e ZRRE-së, KOSTT-it dhe akterëve të tjerë në mënyrë që publiku i gjerë të njihet me pikëpamjet e këtyre palëve. Përmes një qasjeje të tillë të hapur dhe gjithëpërfshirëse, INDEP beson se mund të kontribuohet në zhvillimin e një kuadri ligjor që nxit inovacionin, përmirëson efiçiencën e energjisë, mbështet tranzicionin drejt burimeve të rinovueshme të energjisë, dhe përmbush nevojat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, veçanërisht ato të konsumatorëve në nevojë.

Kosova ka adoptuar një strategji të re të energjisë që vendos shtetin në rrugën e dekarbonizimit. Për këtë, rëndësia e Projektligjit për Energjinë bëhet edhe më thelbësore. Ky ligj jo vetëm që shërben si shtyllë kyçe për të mbështetur realizimin e kësaj strategjie, por gjithashtu siguron një bazë ligjore për të inkurajuar investimet në teknologjitë e reja dhe të qëndrueshme energjetike. Përmes forcimit të kornizës ligjore për energjinë, Kosova mund të avancojë në zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare për ndryshimet klimatike, të rrisë sigurinë e furnizimit me energji dhe të përmirësojë cilësinë e jetës për qytetarët e saj. Ky ligj dhe transpozimi i pakos së re të legjislacionit të Komunitetit të Energjisë është një hap shumë i rëndësishëm drejt një ekonomie më të gjelbër dhe më të qëndrueshme, dhe një pjesë shumë e rëndësishme e rrugëtimit të Kosovës drejt dekarbonizimit dhe përafrimit me standardet dhe praktikat më të mira evropiane në fushën e energjisë. Prandaj, mundësia për ta bërë këtë Ligj më të mirë e më të zbatueshëm, nuk duhet humbur!

Në vazhdim, INDEP ka listuar komentet pas analizës nen-për-nen të Projektligjit. Në pjesën në vazhdim, do të paraqesim vërejtjet dhe rekomandimet specifike të INDEP në lidhje me këtë Projektligj.

Personi kontaktues

Burim Ejupi | office@indep.info