Koncept dokumentin për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës

Ky dokument përshkruan gjendjen aktuale në sektorin e ndërmarrjeve publike (NP) dhe aseteve nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) dhe problemet që adreson në raport me këto dhe fusha të tjera ekonomike themelimi i Fondit Sovran të Republikës së Kosovës(FSRK). Dokumenti merr parasysh, përshkruan dhe analizon modele të ndryshme ndërkombëtare të fondeve investive shtetërore dhe fonde të pasurisë sovrane. Dokumenti shqyrton kornizën aktuale ligjore dhe jep rekomandimet për hartimin e legjislacionit të ri dhe ndryshimin e legjislacionit përkatës me qëllim të përgatitjes së bazës ligjore për themelimin e FSRK. Dokumenti parasheh dhe rekomandon modelet e financimit të kapitalit startues likuid, si dhe asetet jo-likuide që transferohen në pronësi të FSRK. Ky dokument përshkruan në detaje qëllimet, statusin, qeverisjen dhe organizimin e FSRK. Kornizën e strategjive investive dhe ndikimet tjera zhvillimore që FSRK mund t™i luajë në raport me bazën ekonomike dhe sistemin financiar të Kosovës. Dokumenti propozon strategjinë implementuese dhe jep rekomandimet përkatëse për formës dhe metodologjinë e zbatimit të planit për themelimin e FSRK në një periudhë sa më të shkurtër kohore.


Data e fillimit: 28.02.2022


Data e përfundimit: 14.03.2022


Vjosa Hoxha, Zyrtare e Larte per koordinim të politikave ne SKQ/ZKM

vjosa.hoxha@rks-gov.net


Kontributet

Agon Ziberi | Qytetar

14.03.2022 14:34:25

Nga: Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS),

 

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mirëpret inciativat e reja me qëllim të adresimit të problemeve ekzistuese në sektorin e ndërmarrjeve publike dhe aseteve nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Koncept Dokumenti për Themelimin e Fondit Sovran të Kosovës, i publikuar në ueb faqen e konsultimeve publike, përkufizon si probleme monitorimin e punës së ndërmarrjeve publike, nivelin e pakënaqshëm të profesionalizmit të menaxhmentit në ndërmarrje publike, abuzimin e mjeteve dhe aseteve të ndërmarrjeve publike. Në këtë Koncept Dokument, përcaktohet se nga këto probleme ka rrjedhë që ndërmarrjet publike të kenë një performancë të pakënaqshme financiare, duke bërë të nevojshëm subvencionimin direkt të ndërmarrjeve publike nga Qeveria.

Ky Koncept Dokument është fokusuar në ndërmarrjet e nivelit qendror, të cilat janë në pronësi të Republikës së Kosovës, siç përcaktohet edhe në hyrje të këtij dokumenti. Megjithatë, do të ishte mirë që të sqarohet se çka do të ndodh edhe me ndërmarrjet publike të nivelit lokal, të cilat janë në pronësi të komunave.

Gjatë hartimit të këtij Koncept Dokumenti vërehet se është konsultuar Doracaku për hartimin e koncept dokumenteve, dokument ky që duhet zbatuar gjatë hartimin të koncept dokumenteve. Megjithatë, në Doracakun për hartimin e koncept dokumenteve, në kapitullin 3 të tij, përcaktohet se duhet të analizohen së paku tri opsione të ndryshme. Në Koncept Dokumentin për themelimin e Fondit Sovran, në kapitullin 5 të tij janë paraqitur 3 opsione, mirëpo konsiderojmë se opsionet tjera, opsioni 1 dhe 2 nuk janë elaboruar mjaftueshëm. Në Doracakun e përmendur, përcaktohet në detale se si duhet analizuar secili opsion dhe pastaj paraqitet opsioni i rekomanduar.

Nga aspekti procedural, kemi vërejtur se në Dokumentin e konsultimit për Koncept Dokumentin për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës nuk është paraqitur data se kur është zhvilluar konsultimi paraprak. Andaj, nuk është e qartë se a është zhvilluar ky konsultim e që është obligim që rrjedh nga neni 7 i Rregullores nr. 09/2011 së Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Më tutje, në kapitullin krahasues janë përshkruar disa modele të ndryshme dhe që e kishin një të përbashkët, faktin që burimet e financimit nuk janë të lidhura për një komoditet, lëndë bazë. Megjithatë, do të ishte mirë që në përfundimin e këtij kapitulli të propozohej se cili model është më i përshtatshëm për të adaptuar me shumë elemente në Fondin Sovran të Republikës së Kosovës (FSRK). Është mirë të qartësohet, se cili apo cilat modele janë më të përshtatshme, sidomos për nga aspekti i relacionit të FSRK-së me Qeverinë. Kjo duke pasur parasysh se edhe në Koncept Dokument theksohet se në modelin e Turqisë ka ndikim të madh Qeveria.

Në hyrje të kapitullit 3, theksohet se Kushtetuta parasheh shprehimisht mundësinë për krijim e institucioneve përmes të cilave bëhet menaxhimi dhe transaktimi i tyre. Për të qenë të saktë, kjo fjali duhet të riformulohet, meqenëse Kushtetuta nuk parasheh shprehimisht këtë element.

Më tutje, në këtë Koncept Dokument referohet nenit 160 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nen i cili është i shfuqizuar me Amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes Ndërkombëtare të Pavarësisë Kosovës, konkretisht me amandamentin 21. Po ashtu, në vazhdim, referohet nenit 159, i cili është i shfuqizuar me amandamentin 20 të Amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes Ndërkombëtare të Pavarësisë Kosovës. Andaj këto dy nene përmenden si mbështetje në nevojën për ndryshime në kornizën ligjore, mirëpo këto nene nuk kanë fuqi juridike. Ky nen përmendet disa herë.

Në vazdhim, në kapitullin 3.2, është jo e qartë ndërlidhja me Ligjin nr. 03/L-139 për shpronësimin e pronës së paluajtshme dhe sqarimin se ky ligj parasheh kushtet kur Qeveria mund të bëjë shpronësimin. Kjo gjë është e vërtetë, mirëpo Ligji nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme përcakton se objekt i shpronësimit mund të jenë të drejtat private pronësore, konkretisht sipas nenit 3, paragrafi 3 i këtij ligji i cili përcakton:

Objekt i shpronësimit sipas këtij ligji mund të jenë të drejtat private pronësore ose të drejtat tjera private në një pronë të paluajtshme, me përjashtim të të drejtave në pronën e paluajtshme të cilat janë pjesë e një kategorie të pronës e cila në bazë të Kushtetutës ose Propozimit Gjithëpërfshirës shprehimisht janë përcaktuar se nuk mund të jenë objekt i shpronësimit.

Ndërsa, siç e dijmë Agjencia Kosovare e Privatizimin është e autorizuar që të administrojë me pronat në pronësi publike. Kjo nënkupton sipas nenit 3 të Ligjit nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-111 dhe Ligjin nr. 05/L-009, i cili përcakton se ndërmarrjet publike qendrore janë në pronësi të Republikës së Kosovës, ndërsa ato lokale në pronësi të Komunës. Andaj, marrë parasysh këtë dhe faktin se objekt i Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme është e drejta pronësore private, është e paqartë kjo ndërlidhje.

Në kapitullin 3.4, përcaktohet se me Ligjin për Fondin Sovran do të ndryshohen edhe disa Ligje tjera. Komisionin parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe zhvillim Rajonal më 18 janar 2022 ka kthyer në Qeveri Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura për arsye të metodologjisë duke thënë se një ligj nuk mund të ndryshojë dhe plotësojë disa ligje. Andaj, para se të vendoset kjo çështje të sqarohet paraprakisht që ky projektligj të mos ndodhet në situatën e njëjtë si projektligji i lartcekur.

Më tutje, janë cekur 11 pika që duhet të përmbajë Projektligji për themelimin e FSRK-së, ku pika parë thotë se: Ligji duhet të vendos për themelimin e FSRK me statusin juridik të shoqërisë aksionare dhe ta definojë pronësinë e FSRK me Republikën e Kosovës si pronar të njëqind (100) për qind të aksioneve.  Ndoshta është çështje formulimi, por nuk është shumë e qartë se çka është menduar me definimin e pronësisë së FSRK me Republikën e Kosovës si pronar.., andaj ndoshta është mirë që të qartësohet duke e riformuluar.

Rekomandojmë që të përcaktohet më saktë se cili do të jetë roli i Kuvendit si mbikëqyrës, duke parë se një nga problemet kryesore me AKP, që është identifikuar edhe në këtë koncept dokument ka qenë mbikëqyrja e punës së saj. Andaj, në mënyrë që të mos përsëriten problemet e njëjta është mirë që të përcaktohet saktë se cili është roli i Kuvendit si mbikëqyrës.

Të saktësohet se si planifikohet të transferohet pronësia/aksioneve mbi ndërmarrjet publike nga Republika e Kosovës te FSRK. Gjithashtu, nëse planifikohet ndryshimi i pronësisë së ndërmarrjeve publike, atëherë që edhe në këtë aspekt të ndryshohet Ligji nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, konkretisht neni 3 i tij.

Sa i përket, Projektligjit për kampionët nacionalë, dëshirojmë ta parashtrojmë pyetjen se a mund të përfshihet fushëveprimi i këtij projektligji në atë të ligjit për themelimin e Fondit Sovran. Gjithashtu, të ketë shpjegim më të qartë të këtij emri, a do të jetë vetëm një kompani kampion, a do të jetë si llojë gare apo si. Fjala kampion, siç e dijmë, ka kuptimin e fituesit në një lojë apo garë, andaj të sqarohet se a do të jetë një lloj gare. Kampion në gjuhën angleze përdoret edhe për të përshkruar kur dikush lufton për një kauzë. Ndoshta do të ishte mirë që kjo fushë të përfshihej në Ligjin për Fondin Sovran.

Në fazën e Koncept Dokumentit duhet të analizohen të gjitha ligjet që preken, për shembull kur flitet për emetimin e boneve dhe letrave me vlerë, cili ligj duhet ndryshuar? A hyn kjo në kompetencë të Bankës Qendrore?

Rekomandojmë që të konceptohet në këtë fazë se si do të organizohet FSRK dhe jo të mbetet në fazat e mëvonshme, ashtu siç thuhet në pikën IV se Fondi organizohet në bazë të Kartës Afariste të tij, e që karta përcakton orientimet bazë të Fondit dhe strukturën organizative të Fondit. Është mirë që të parashihet me dispozitat kalimtare të ligjit rregullimi për Bordin mbikëqyrës fillestar.

Në kapitullin 4.3.632 - ristrukturimi i ndërmarrjeve para bartjes, konsiderojmë se nuk është përcaktuar qartazi ideja se pse duhen të ristrukturohet, ose të paktën të bëhej një analizë se ku janë problemet në strukturë të ndërmarrjeve të përmendura. Po ashtu, është mirë të përcaktohet se si do të bëhet ristrukturimi i këtyre ndërmarrjeve.

Më tutje, janë përshkruar disa projekte potenciale, të  cilat do të mund të ofronin ndihmë për grupin punues për hartimin e Ligjit për FSRK. Është e paqartë se pse është nevoja që të ndahen kontaktet e personave dhe të dhënat e projekteve. Kjo duhet të vendoset në një proces konkurrues dhe të shihet se çfarë ekspertize është më adekuatja. Nga faqja 39 deri në faqen 43 janë listuar projekte të ndryshme ndërkombëtare të cilat veprojnë në Kosovë dhe personat kontaktues, këto janë të dhëna të panevojshme për KD, është më mirë të zhvillohet ideja sesa të ceken projektet te të cilat mund të mbështetemi.

Në fund të Koncept Dokumentit, te shtojca nr. 1 përcaktohet se: Fondi Sovran do të jetë shoqëri e pavarur financiare “ investuese dhe aset “ menaxhuese në pronësi të plotë të Republikës së Kosovës. Më tutje, thuhet se fondi do të jetë pronar dhe menaxher asetesh. Ndoshta kjo duhet të reflektohet edhe në fjalinë e parë për të mos shkaktuar konfuzitet.

Gjithashtu, rekomandojmë që edhe në këtë fazë të konceptohet më në detale struktura organizative. Të merren parasysh pyetjet: Nga kush emërohet bordi mikëqyrës? Si do t™i përfaqësojë interesat e pronarit Republikës së  Kosovës? Pagat e Bordit Mbikëqyrës, a do të përjashtohen nga Ligji për Pagat?

Në fund, ashtu siç edhe kanë qenë rekomandimet për Slovenian Sovereign Holding, nga OECD “ Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, e cila në vitin 2014 ka potencuar se një implementim i ligjit të ri për Slovenian Sovereign Holding është kritik dhe duhet të prioritizohet zhvillimi i strategjisë për menaxhimin e aseteve dhe të ndërmirren masa për implementimin e disa masave me qëllim që të sigurohet një mbikëqyrje efektive. Po ashtu të sigurohet një transparencë e mirëfilltë e gjithë procesit. Andaj, rekomandojmë që të merren parasysh edhe këto aspekte gjatë zhvillimit të idesë për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës.

 

 

 

 

Personi kontaktues

Agon Ziberi | agon.ziberi@legalpoliticalstudies.org

Liridon Baraliu | Qytetar

01.03.2022 23:22:26

Është i mirëseardhur qëllimi i këtij Koncept Dokumenti për themelim të Fondi Sovran dhe idea në përgjithësi e krijimit të një mekanizmi i cili besoj se ka për qëllim listimin e ndërmarrjeve publike dhe atyre në pronësi private në tregun e aksioneve, IPO.

Ajo çfarë ky fond ka nevojë qartësimi është operimi i vet fondit. Pyetja që duhet të shtroj ky qëllim themelimi të Fond Sovran është se a do të jetë Fond i Përbashkët, Fond Indeksi, apo Fond Investiv, dhe cila do të jetë vlera bazë e fondit: Vlera e ndërmarrjeve veç e veç?, Vlera akomulative  e ndërmarrjeve së bashku në fond?, apo Vlera e supozuar ajo të cilën fondi do të krijoj si vlerë në të ardhmen?.

Fondet sovrane zakonisht bazohen në një vlerë ekzistuese dhe mundësinë e asaj vlere të rritet në të ardhmen. Fondi Sovran norvegjez është krijuar mbi bazën e hidrokarbureve, për shkak të vlerës ekzistuese që kanë, nevojës për atë vlerë në të ardhmen dhe mundësisë rritëse (zhvillimore) të asaj vlere në të ardhmen.

Ky Fond Sovran që mëton të krijohet duhet parë mundësinë, potencialin e zhvillimit të atyre kompanive të listuar në fond nga vet produktet apo shërbimet që ofrojnë, pastaj mundësisë së shitjes së aksioneve në IPO, me qëllim tërhjekjen e kapitalit për investim bazuar në Biznes Plane afatgjata.

Ka modele në botë siç është p.sh. S&P 500 e cila i liston kompanitë në fond pasi të kenë kaluar fazën e maturimit (qëndrueshmërisë në treg) dhe vlera e së cilës, rrit vlerën e përgjithshme të fondit sipas kushteve të operimit në tregun të cilin operojnë, në tregtimin e gjdo-ditshme dhe vlerën-rritjen e gjdo-ditshme të krijuar. Këto fonde janë krijuar mbi bazën e vlerës që krijojnë duke operuar në industri të caktuara, Standard & Poors ka krijuar fondin (fillimisht fond i përbashkët pastaj ka kaluar edhe në vlerë indeksimi) mbi vlerën e 500 kompanive më të zhvilluara industriale, mbi bazën e kompanive themeluese duke operuar në tregun e hidrokarbureve dhe minierave (mineraleve), ndërsa sot në krye të listës së tyre janë kompanitë më të mëdha teknologjike.

Në këtë koncept dokument keni përmendur fonde, në të cilat Trusti Pensional i investon asetet e tij.

Pyetje që duhet të shtrohet në fazën e ristrukturimit të ndërmarrjeve publike të cilat do të listohen në fond, se: Cili do të jetë institucioni financiar i cili do të merr përsipër ristrukturimin e këtyre ndërmarrjeve, investimin kapital në to dhe përgatitjen e tyre për në Fondi Sovran?

Ky koncept dokument parasheh sipas paragrafit 4.3.6.2 ristrukturimin e ndërmarrjeve dhe në shpjegim e cekë se ristrukturim qenka ndërrimi i bordit, që tregon mungesë njohurish themelore mbi këtë koncept qoftë edhe të vetë krijimit të fondit sovran në vete, e leje më të kuptimit të ristrukturimit të ndërmarrjeve që është një gjë shumë më e madhe se ndërrimi i bordit, e që ristrukturimi është kryekëput investim kapital.

Besoj se nëse synohet krijimi i Fondi Sovran mbi një vlerë të re dhe e cila ka potencial rritës, nuk është nevoja fare e prekjes së ndërmarrjeve në AKP, sepse kjo është rrugë e cila qon në ndryshime të kushtetutës, respektivisht neni 10, por nëse këto ndërmarrje privatizohen dhe operojnë sipas kushteve të tregut këto munden të listohen në Fondi Sovran dhe të iniciojnë shitjen e aksioneve në IPO. Nëse ndiqet rruga që Fondi Sovran të krijohet nga asetet e AKP™së është rrugë pa dalje, bie ndesh mbi parimet e tregtisë së lirë, bie ndesh mbi orientimin tonë të integrimit në BE, sepse kusht për anëtarësim në BE është mos pasja e ndërmarrjeve në pronësi publike, sepse krijon pabarazi në treg.

Tjetër, edhe vet PROJEKT RREGULLORE MFPT-NR. 00/2021 PËR HUADHËNËNIEN NDAJ SUBJEKTEVE TË SEKTORIT PUBLIK e iniciuar më parë krijon pabarazi në tregun financiar dhe operim të ndërmarrjeve. Duhet pasur parasysh se e gjithë ekonomia e Republikës se Kosovës për aq sa është zhvilluar deri tani është mbi bazën e zhvillimit të sektorit privat, sepse Kosova nuk ka valutë të sajën dhe nuk mundet me ndiku në normën e kamatave (inflacion apo deflacion), shteti nuk shet as nuk blenë në nivelin e krijim vlere as mineralet nëntokësore të cilat i posedon, dhe të gjithë vlerën që Republika e Kosovës e krijon e ka mbi bazën e të hyrave doganore, akcizës, tvsh™së dhe shërbimeve, dhe nëse hyn në aventura të konkurueshmëris me sektorin privat, rrezikon krijimin e pabarazisë në treg dhe rrezikon direkt investitorët e jashtëm, IHD™të. Sepse kush investon në një treg ku konkurrent e ka ndërmarrjen publike të cilës shteti i qëndron pas me kapital dhe ligje që e mundësojnë këtë?!

Rrugëtimi i përcaktuar nga ky Koncept Dokument që ndërmarrja para se të listohet në IPO të fondit të marr statutin e Kampionit Nacional (si lloj aprovuesi dhe brokeri, që në këtë rast duhet të jetë institucion financiar), ky mekanizëm i ndërmjetëm do të qoj në një rrugë të tejzgjatur, sepse nevojën për listim në IPO në vet Fondi Sovran e përcakton nevoja për zhvillim, tregu i operimit dhe qëndrueshmëria afatgjate, krejt këtë proces e kryen institucioni financiar i cili merr përsipër ristrukturimin e ndërmarrjeve, që në këtë rast marr si shembull që duhet me qenë Banka Zhvillimore apo ndonjë Institucion Financiar privat ekzistues në treg, sepse kanë mjaftueshëm depozita dhe kanë mundësi dhe kapacitete parapërgatitjen e ndërmarrjeve për Fondin Sovran.

 

Personi kontaktues

Liridon Baraliu | liridonbaraliu@gmail.com