Konsultimi publik
25.08.2026
STRATEGJIA KOMBETARE PER INOVACION 2030+
Strategjia Kombëtare për Inovacion 2030+ vendos një kornizë kombëtare për forcimin e inovacionit si shtytës i zhvillimit ekonomik, mjedisor, social dhe institucional. Ajo ofron një drejtim të qartë politikash për mënyrën se si institucionet e Kosovës, bizneset, akademia, shoqëria civile dhe diaspora mund të punojnë drejt rezultateve të përbashkëta të bazuara në prova dhe të harmonizuara me standardet evropiane.
Data e fillimit: 10.08.2026
Data e përfundimit: 31.08.2026
Dokumentacioni
Dokumentacioni shtesë
Laura Zherka
Laura.Zherka@rks-gov.net
Duhet te logoheni per te postuar komentet/kontributet tuaja
Kontributet
An EU funded project managed by the European Union Office in Kosovo
Shkarko dokumentin e kontributit
The Foundation House | OJQ
25.08.2026 11:30:20
Komente dhe Rekomandime mbi Draftin e Strategjisë Kombëtare për Inovacion 2030+ dhe Planit të Veprimit
Organizata: The Foundation House (TFH), ish-IPKO Foundation
Fushat kryesore të veprimit: Edukim STEAM, zhvillim aftësish digjitale, angazhim qytetar, ngritje e kapaciteteve institucionale (mbi 25 vite përvojë në Kosovë)
Drejtuar: Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës
Data: 19 gusht 2026
The Foundation House (TFH) përshëndet hartimin e Strategjisë Kombëtare për Inovacion 2030+ dhe e mbështet vizionin, qasjen sistemike dhe angazhimin e gjerë të palëve të interesit gjatë hartimit. Si organizatë e shoqërisë civile me mbi dy dekada punë në edukim digjital, STEAM, zhvillim aftësish dhe fuqizim të të rinjve e grave në Kosovë, TFH ofron rekomandimet e mëposhtme me një fokus të vetëm: forcimin e rolit institucional, dhe jo vetëm konsultativ, të organizatave të shoqërisë civile (OSHC) në zbatimin e Strategjisë.
Vërejtje e përgjithshme: termi "OSHC" përcaktohet në Fjalorthin e Strategjisë, por nuk shfaqet asnjëherë në trupin e dokumentit. Në Planin e Veprimit, OJQ-të cilësohen si partnerë zbatues në vetëm 1 nga rreth 175 rreshta veprimesh/treguesish (veprimi 5.3.1), pa asnjë linjë të dedikuar buxheti apo përgjegjësi kryesuese. Kjo mospërputhje, mes angazhimit të gjerë të shoqërisë civile në fazën konsultative dhe mungesës së saj në kornizën operacionale, është shqetësimi qendror i këtyre rekomandimeve.
Rekomandimet Kryesore
Këshilli Kombëtar për Inovacion (KKIN) dhe organi koordinues ndërministror i Monitorimit, Vlerësimit dhe të Nxënit (MVN) e përfshijnë shoqërinë civile vetëm si kategori e bashkuar ("akademia dhe shoqëria civile/infrastruktura e K&I-së"). Rekomandojmë një vend të dedikuar dhe të numëruar për OSHC, të ndarë nga akademia, me përzgjedhje transparente përmes rrjeteve ekzistuese të shoqërisë civile.
Të rishikohet kolona e institucioneve përgjegjëse/partnere në Planin e Veprimit që shoqëria civile të emërtohet si partner zbatues konkret, veçanërisht te veprimet e Objektivit Strategjik 3 (arsim, aftësi) dhe te prioritetet ndërsektoriale të gjithëpërfshirjes, jo vetëm në veprimin 5.3.1.
Në linjë me rekomandimet tona për Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, kërkojmë që Fondi i Inovacionit të përfshijë një dritare specifike financimi për OSHC: inovacion social, edukim digjital/STEAM, dhe nisma "NGO-led startup", me kritere aplikimi e raportimi të përshtatura për natyrën jofitimprurëse të tyre.
Integrimi i kompetencave të inovacionit, kreativitetit dhe ndërmarrësisë në kurrikula, trajnimi i mësimdhënësve dhe zgjerimi i programeve jashtëshkollore STEAM të emërtojnë OSHC si zbatues natyrorë, me përvojë të provuar në arritjen e rajoneve të pashërbyera, vajzave dhe të rinjve.
Punëtoritë bashkë-projektuese, laboratorët real dhe panelet me qytetarë të përmendura në seksionin 3.3 të kenë OSHC si facilitatorë të emëruar, duke shfrytëzuar përvojën e tyre në angazhim komunitar.
Të sigurohet që dispozitat për OSHC që po propozohen në Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi (përfaqësimi në KKIN, qasja në Fond, lehtësirat fiskale) të pasqyrohen në mënyrë të njëjtë dhe pa kontradikta në Strategji dhe në Planin e Veprimit, si dy instrumente që do të zbatohen paralelisht.
Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Inovacionit (EIMS) dhe raportimi vjetor të përfshijnë një tregues të dedikuar për pjesëmarrjen dhe kontributin e OSHC, në mënyrë që kontributi i tyre të mos humbasë brenda kategorive më të gjera institucionale.
The Foundation House mbetet e gatshme të kontribuojë me ekspertizë dhe përvojën e saj mbi 25-vjeçare (përmes programeve si Generation Next, Sparking Change, EmpowerHER dhe STEAM Engine Consortium) në finalizimin dhe zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit.
Personi kontaktues
Abetare Gojani | info@thefoundationhouse.org
Dokumentet shtesë