Standardet e konsultave

Me datë 29 prill 2016, është aprovuar RREGULLORJA PËR STANDARDET MINIMALE PËR PROCESIN E KONSULTIMIT PUBLIK. Rregullorja e re u mundëson qytetarëve dhe shoqërisë civile që të jenë të përfshirë në formësimin e politikave publike.

Kjo Rregullore ka për qëllim nxitjen dhe sigurimin e një procesi të konsultimit publik ndërmjet organeve publike, palëve të interesuara dhe publikut, për një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në procesin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes me interes publik si dhe rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë së organeve publike ndaj palëve të interesuara dhe publikut. Me këtë Rregullore përcaktohen standardet minimale, parimet dhe procedurat në procesin e konsultimit publik, ndërmjet organeve publike, palëve të interesuara dhe publikut, në procesin e hartimit të politikave dhe legjislacionit. Dispozitat e kësaj Rregulloreje zbatohen nga të gjitha organet publike për të planifikuar dhe zbatuar në formë efektive procesin e konsultimeve publike gjatë hartimit të legjislacionit dhe politikave. Standardet minimale të përcaktuara me këtë rregullore zbatohen për të gjitha dokumentet, procesi i hartimit të të cilave kërkon konsultim publik. Projekt planet vjetore të organeve publike i nënshtrohen procesit të konsultimit me publikun në pajtim me këtë Rregullore. Dokumentet e tjera të cilat i nënshtrohen procesit të konsultimit me publikun duke u bazuar në këtë Rregullore janë:

  1. Projekt Plani vjetor i dokumenteve strategjike;
  2. Projekt programi legjislativ i Qeverisë;
  3. Projekt plani i akteve nënligjore;
  4. Projekt lista e koncept dokumenteve
  5. Projekt koncept dokumentet
  6. Projekt aktet normative
  7. Projekt strategjitë si dhe
  8. Të gjitha dokumentet tjera, të cilat duhet të shoqërohen me memorandum shpjegues apo për të cilat kërkohet konsultimi me publikun.

Standardet minimale për konsultime publike të përcaktuara në këtë Rregullore zbatohen për të gjitha dokumentet, procesi i hartimit të të cilave kërkon konsultim publik nga data 01 janar 2017.