Lansohet Platforma Online për Konsultim me Publikun

24.02.2017


Prishtinë-22.02.2017

Nën patronatin e Zyrës së Kryeminsitrit /Zyrës për Qeverisje të Mirë  është bërë lansimi i Platformës online për konsultime me publikun, e cila ka për synim të ndihmojë institucionet në procesin e konsultimeve dhe përfshirjen më të gjerë të shoqërisë civile dhe të gjithë partnerëve në bërjen e politikave vendimmarrëse.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e nivelit më të lartë të institucioneve vendore e ndërkombëtare, dhe të organizatave të shoqërisë civile, përfshirë:

Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Isa Mustafa, shefja e zyrës  së  BE-së në Kosovë znj. Nataliya Apostolova, z.Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit, udhëheqësi i ekipit të projektit të Asistencës Teknike të BE-së, Mbështetje për Implementimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile, z.Igor Vidacak, znj.Valdete Idrizi Drejtoreshë ekzektutive e Platformës Civikos dhe znj.Venera Hajrullahu, Drejtoreshë Ekzekutive e Fonacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Në fjalën e tij hyrëse Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa falënderoj Bashkimin Evropian për kontributin e dhënë në lansimin e kësaj platforme, duke e vlerësuar si jetike këtë përkrahje në krijimin e një ndërlidhje funksionale ndërmjet dokumenteve që Qeveria i krijon dhe konsultave publike me palët e interesuara.

 Pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Qeverisë së Republikës së Kosovës për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimeve Publike nga data 1 janari i këtij viti, Zyra për Qeverisje të Mirë, bashkë me projektin e asistencës teknike të BE-së për Mbështetje dhe zbatimin e strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile, kanë dizajnuar këtë platformë për konsultime me publikun.

Platforma ka një pikë qasje për të gjitha konsultimet publike që duhet të kryhen nga institucionet publike, për projektligje, për koncept dokumente, pastaj për dokumente strategjike dhe për akte të tjera, që janë subjekt i konsultimeve publike sipas rregullores së Qeverisë, tha kryeministri.

Ai më tutje shtoj se Qëllimi i kësaj platforme është që të ndihmojë ministritë dhe agjencitë qeveritare të Republikës së Kosovës për procesin e konsultimeve publike, me përfshirjen më të gjerë të autoriteteve publike dhe joqeveritare, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë partnerëve relevantë që janë përgjegjës për bërjen e politikave vendimmarrëse. Përmes kësaj platforme, ne konsiderojmë që po ashtu të sigurojmë një proces të komunikimit ndërmjet organeve publike, palëve të interesuara dhe publikut, si dhe rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë së organeve publike ndaj palëve dhe ndaj publikut, tha kryeministri.

Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova theksoi se se konsultimet me publikun janë vlerë themelore e Bashkimit Evropian, por edhe vlerë e qeverisjes së mirë, që ndihmon në bërjen e politikave më të mira dhe rrit besimin e qytetarëve në punën e institucioneve publike.

Në kontekstin e përmbushjes së obligimeve nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, konsultimet kuptimplota me publikun dhe pjesëmarrja e shoqërisë civile në bërjen e politikave, janë parakusht themelor për sigurimin e reformës efektive të administratës publike, por kanë po ashtu ndikim pozitiv edhe në qëndrueshmërinë e reformave në të gjitha fushat tjera, ka thënë Apostolova.

Drejtoresha ekzekutive e Platformës CiviKos, Valdete Idrizi, tha se platforma online është e arritur edhe për vetë Civikos-in, që është angazhuar në avancimin e një mjedisi sa më të favorshëm në mes të shoqërisë civile dhe institucioneve të shtetit.

Ne si CiviKos e kemi mirëprit lansimin e platformës dhe presim funksionalizimin e saj, sepse është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe tha Idrizi.

Ndërkaq Drejtoresha Ekzekutive e KCSF-së, Venera Hajrullahu, përmendi vullnetin e vetë institucioneve për të hapur procesin e politikbërjes, por përmendi sfidat të cilat ende mbesin për t™u adresuar nga Qeveria.

Bëhet fjalë për nevojën e rritjes së kapaciteteve për shërbyesit civil, për planifikim dhe analizë të politikave, për komunikim me publikun, kapacitetin në përgjithësi për interaksion ndërsektorial, theksoi Hajrullahu.

Me këtë gjë është pajtuar edhe udhëheqësi i ekipit të projektit të Asistencës Teknike të BE-së, Mbështetje për Implementimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile, Igor Vidacak, i cili ka sjell edhe përvojën që kishte Kroacia në këtë fushë.

Pa pasur një raport të mirë me shkrim nga institucionet publike se përse disa nga komentet e dhëna nga kontribuesit nuk janë përfshirë në dokument, nuk mund të presim që të rritet besimi i qytetarëve. Përvoja jonë tregon se kur ministritë publikuan raporte të mira pse komentet nuk janë përfshirë, është shtuar me mbi 4 mijë për qind pjesëmarrja në konsultime publike, ka thënë Vidacak.

Përpos prezantimit dhe udhëheqjës së takimit, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, z. Habit Hajredin ka bere edhe prezantimin se si duket kjo platformë, si mund të regjistrohen përdoruesit dhe si të japin kontributin e tyre në politikat e reja. Sipas tij, në secilën ministri janë emëruar koordinatorët të cilët janë përgjegjës për të koordinuar tërë procesin brenda ministrive, për ndjekjen e procedurave dhe standardeve të parapara me rregullore.

Lajmet tjera


Platforma gjithëpërfshirëse për konsultimet me publikun

12.12.2022